Ndonëse numri i autoveturave ka ardhur në rritje vit pas viti dhe trafiku është mjaft i rënduar, sidomos në zonën qendrore, shqiptarët vijojnë të kenë ndër numrin më të ulët të autoveturave në raport me popullsinë në Europë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së transporti Rrugor (DPSHTRR) në fund të vitit 2021 ishin në qarkullim 539 mijë auto vetura aktive ose të çregjistruara përkohësisht. Në raport me popullsinë treguesi është 192 automjete për 1 mijë banorë, ose një autoveture për pesë banorë (gati 0.2 automjete për banor). Krahasimi me të dhënat e tjera të Eurostat tregon se Shqipëria e ka këtë tregues shumë më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku një në dy banorë ka një auto veturë (0.53 auto vetura për banor).
Shqipëria ia kalon vetëm Turqisë, që ka 157 autovetura për një mijë banorë. (të dhënat e rajonit mungojnë, por edhe në vitet e mëparshme, Shqipëria ishte ndër të fundit, me nivele të ngjashme me Maqedoninë e Veriut).
Sipas DPSHTRR, numri i automjeteve në total në fund të viti t2020 ishte 670 mijë, 37% e të cilave ndodhen në Tiranë.
Në fund të vitit 2021, numri i autoveturave në vend arriti në 593 mijë, me një rritje prej 10%, ndërsa numri total i automjeteve ishte 740 mijë.
Mercedez Benz vijon të mbetet marka më e preferuar e shqiptarëve, me 18.2% të totalit të autoveturave sipas markave, e ndjekur nga Volkswagen, me 9.7%, Daimler me 4.9%.
Në Bashkimin Europian, një në dy banorë ka autoveturë, rekordin e mbajnë italianët
Sipas Eurostat, në vitin 2020, në BE kishte 0,53 vetura pasagjerësh për banor. Në nivel rajonal, kishte pabarazi të konsiderueshme në pronësinë e makinave brenda BE-së: përveç dy vlerave ekstreme (Valle d’Aosta dhe Mayotte), shkalla më e lartë rajonale (Provinca Autonome e Trentos) ishte gati shtatë herë se më e ulëta (Peloponez).
Për sa u përket makinave të pasagjerëve për 1 000 banorë, shtetet anëtare lindore regjistruan shifrat më të ulëta, ndërsa shtetet anëtare perëndimore shënuan norma më të larta, por me disa pabarazi të theksuara rajonale.
Në vitin 2020, tre nga pesë normat më të larta të motorizimit (numri i makinave të pasagjerëve për 1 000 banorë) u regjistruan në Itali: Valle d’Aosta (1 787), Provinca Autonome e Trentos (1 285) dhe Provinca Autonome e Bolzanos ( 871). Dy të tjerat u regjistruan në Flevoland (857) në Holandë dhe në rajonin finlandez të Ishujve Åland (840).
Këto nivele rajonale, sipas Eurostat, shpesh lidhen me situatën ekonomike, por gjithashtu mund të ndikohen nga rrethana specifike: shkalla e lartë e motorizimit në Valle d’Aosta ndikohet nga rregullat e taksave dhe norma e lartë në Flevoland lidhet me vendndodhjen e saj afër një qyteti më të madh.
Nga ana tjetër, normat më të ulëta të motorizimit u raportuan në dy rajone franceze dhe tre rajone greke: Mayotte (72), Peloponez (186), Guiana Franceze (209), Greqia Qendrore (238) dhe Egjeu i Veriut (261). .
Sipas shteteve, duke përjashtuar Liechtenstein dhe Luxembourg (që e kanë treguesin e lartë për shkak të në to jetojnë shumë të huaj), rekordin për numrin e autoveturave e mban Italia, me 670 mjete për 1000 banorë, e ndjekur nga Polonia, Finlando, Qipro. Nga vendet e Bashkimit Europian në fund renditen Hungaria (403), Letonia (390), Rumania (379). /monitor