Parlamenti “zien” nga debatat për Portin e Durrësit, teksa opozita ngul këmbë se mazhoranca po kryen një aferë të madhe korrupitive. Investimi strategjik i Portit të Durrësit fsheh disa fakte përballë të cilave qeveria ka zgjedhur të heshtë. Rama sypatrembur i qëndoron fjalës së tij dhe luan me opozitën kur i thotë që porti do ndërtohet, do apo nuk do Partia Demokratike.
Por cilat janë prapaskenat që fshihen me ngulm?
Sipas marrëveshjes, trualli prej 818 mijë metrash katrorë do i falet konsorciumit të përbërë nga tre kompani: “Eagle Hills Real Estate Development” me administrator, Mohamed Ali Rashad Alabbar, “Nshmi Development” në pronësi të Rashid Mohamed Ali Rashed Alabbar dhe kompanisë shqiptare “Albanian Seaports Development Company” .
Nga dokumentacioni zyrtar, rezulton që kompania ‘Eagle Hills’ më herët ka qënë e regjistruar në QKB me emrin ‘Symphony Real Estate Development’ me adresë në ishujt Cayman. Vetëm pak muaj para se marrëveshja të kalonte me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, kompania ndryshoi emër dhe administrator. Në 22 qershor të këtij viti, administrator i kompanisë u bë Mohamed Ali Rashed Alabbar, megjithatë sipas vendimit, orataku i vetëm i kompanisë dhe mbajtës 100 për qind i kapitalit është Rashid Mohamed Ali Rashed Alabbar.
Po, i njëjti person ka hyrë në konsorcium me kompaninë tjetër në pronësi të tij, ‘NSHMI Development’ si garant për realizimin e investimit strategjik. Pra të dyja kompanitë e huaja janë në pronësi të vetëm një personi, i cili rezulton i regjistruar në parajsat fiskale.
Sipas ligjit për investimet strategjike, komisioni përgjegjës duhet të realizojë garë dhe të përzgjedhë ato kompani që paraqesin siguri financiare dhe një profil të përshtatshëm investitori.
Referuar pasqyrave kontabël, për vitin që lamë pas, kompania fituese e projektit ka pësuar një humbje prej më shumë se 168 milionë lekësh dhe gjithashtu deri në fund të vitit 2021 kompania kishte vetëm katër punonjës. Pasqyrës financiare dhe stafit të pamjaftueshëm për të realizuar një investim të përmasave të Portit të Durrësit, i shtohet edhe profili i dyshimtë i pronarit, Rashid Mohamed Ali Rashed Alabbar.
I njëjti investim në vitin 2019 u brohorit nga kryebashkiaku i Zagrebit, në Kroaci, por zgjoi reagimin e fortë të opozitës dhe shoqërisë civile dhe nuk mundi të miratohej. Megjithatë nëse krahasojmë marrëveshjen e Zagrebit me atë të Durrësit, janë dy kompani të ndryshme që marrin në dorëzim projektet, pavërësisht se Rama i paraqiti si një të vetme.
Marrëveshja e Durrësit është nënshkruar me “Eagle hills real estate development”, një shoqëri me adresë në Durrës, teksa marrëveshja e Zagrebit ka parashikuar lidhjen e kontratës me “Eagle Hills Properties’ me adresë në Abu Dhabi.
Përballë këtyre fakteve, kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim të qartë. Nxitimi i pashpjegueshëm i qeverisë për miratimin e këtij projekti mund t’i humbasë shtetit shqiptar mijëra metra katrorë tokë.