Nga Andi Bushati
Beteja e PD për të sfiduar apo mundur Ramën është ende shumë e gjatë, por fitorja e 7 korrikut duhet kuptuar si shpëtimi i demokracisë, përmes ringjalljes së një opozite të planifikuar për t’u asgjesuar.
Protesta e madhe e 7 korrikut nuk ishte fillimi i betejës kundër Edi Ramës, ashtu sikurse e propaganduan protagonistët e saj, por përmbyllja e rebelimit që filloi me “Foltoren”, kulmoi me zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 mars dhe u çertifikua, këtë të enjte, me instalimin përfundimtar të Sali Berishës në krye të opozitës.
Si e tillë, kjo protestë arriti një fitore të trefishtë. Së pari, duke i dhënë fund rivalitetit me ata që pretendojnë pronësinë e vulës dhe stemës në PD dhe që këtej e tutje do të bëjnë figurën e kllounit nëse do të pretendojnë t’i marrin ato me gjykatë. Sali Berisha tregoi edhe njëherë se ai është lideri i padiskutueshëm i demokratëve. Jo vetëm përmes pjesmarrjes së lartë në miting, por për mënyrën se si iu përgjigj e gjithë struktura e partisë, aq më tepër në kushtet kur ajo nuk ndihmohet nga ushtria e të punësuarve nëpër bashki, ai vërtetoi se tashmë e ka kontrollin e plotë të PD-së.
Së dyti, ajo konfirmoi fitoren mbi Yuri Kim dhe zyrtarët e tjerë të administratës amerikane që i trajtuan demokratët si dele duke i thënë se nuk mund të hanin bar për të shkuar pas një të shpalluri non grata. 7 korriku qe prova se populli opozitar e ka injoruar procedurën e lobingut që solli nënshkrimin e vendimin nga sekretari Blinken, duke shpërfillur thirrjet e vazhdueshme për të mos mbetur peng të së shkuarës, për të mos votuar në 6 mars kandidatët “non grata” dhe për të mbajtur në krye kukullën që preferonte Rama. Edhe ata demokratë që janë kritikë ndaj administratës aktuale amerikane, edhe ata që e duan SHBA-në pa kushte, dëshmuan se në një pikë janë të gjithë bashkë: ata nuk pranojnë që lideri i tyre t’u katapultohet në mënyrë anti demokratike, pa votë.
Së treti, kjo protestë vërtetoi se sa komikë duken Rama dhe Balla me retorikën e tyre se nuk ndërveprojnë me një “të vdekur të pakallur” dhe nuk votojnë asnjë propozim që vjen nga “non grata”. E duam apo nuk e duam, na pëlqen apo nuk na pëlqen, Sali Berisha është sot lideri legjitim i PD-së dhe zgjedhja e vetme që kanë tani padronët e Rilindjes është të ndajnë mendjen, nëse pranojnë një sistem demokratik ku duhet të durojnë edhe opozitën, ose të shpallin edhe “de jure” instalimin e regjimit.
Sa më shumë që tre faktorët e mësipërm të këmbëngulin në xhadenë qorre të mohimit të realitetit, aq më i madh do të bëhet populli që u ngjiz në 7 korrik. Sa më arrogantë të tregohen ata, që njerëzit i trajtojnë si kope, aq më shumë do e koracojnë Sali Berishën me një fuqi të pamerituar.
Por, thënë këtë, sado i fortë të ngjajë ky ngadhënjim i trefishtë, kjo PD “e rilindur”, është ende shumë larg së qeni një kërcënim për pushtetin e pamatë të Edi Ramës. Ndaj njeriut që ka mbledhur gjithë pasurinë e këtij vendi, që dirigjon oligarkët, kontrollon mediat dhe ka në përdorim bandat, është e pamjaftueshme një protestë paqësore, sado mijëra militantë të arrijë të tubojë ajo në bulevard.
Prandaj t’u thuash qytetarëve, ashtu siç trumbetuan me entuziasëm organizatorët, se kjo qe dita prej nga fillon beteja me regjimin, është jo vetëm e ekzagjeruar, por edhe e gënjeshtër. Rivaliteti dhe sfida reale me autokratin në pushtet është ende larg.
Por, protesta e kësaj të enjte, megjithatë do të mbahet mend gjatë. Ajo do të kujtohet si dita kur u konfirmua se në Shqipëri u shpëtua demokracia, pasi në skenë u rikthye opozita që ishte projektuar të asgjesohej. Pak rëndësi ka nëse është ende e dobët, e përçarë, me fytyra të së shkuarës dhe që akoma nuk ngjall asnjë shpresë për të nesërmen. Mes dy të këqijave, më mirë, qoftë dhe e tillë, sesa një teatër qesharak kukullash.
Pikërisht për këtë ka vlerë 7 korriku, se ai do të mbesë në memorie si dita kur Berisha fitoi betejën me atë trinitet që PD-në e donte thjesht si fasadë.