TIRANË- Nga Anglia kanabis më postë në Shqipëri, është rruga më e fundit që ka zbuluar antidroga.
Rasti u bë i ditur pas arrestimit të dy personave. Ardit Hoxha, 34 vjeç dhe Hava Fuxha, 64 vjeçe, u arrestuan pak ditë më parë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin arritën të trafikonin një pako me kanabis sativa nga Anglia në Tiranë. Por pasi policia i arrestoi në flagrancë në një automjet, 34-vjeçarit i gjeti edhe një pako tjetër në banesë, çfarë nënkupton se të paktën dy herë kishte mundur të sillte në Shqipëri sasi kanabisi, përmes postës.
Shqiptarët e Londrës, tashmë, nuk kanë të zhvilluar vetëm krijimin e shtëpive të barit në Britani të Madhe, Spanjë apo vende të tjera, por edhe kalimin e sasive të kultivuara përmes kanaleve zyrtare të transportit, në këtë rast përmes postës. Në vitet e fundit, ata të konsideruara si “shtëpi bari” apo laboratore të kanabisit në ambiente të brendshme, janë kthyer në një trend të preferuar të shqiptarëve, çfarë ka vështirësuar edhe punën e autoriteteve për t’i pikasur.
Por, si arrijnë shtetasit shqiptarë të kalojnë kanabis sativa me anë të postës, kur kjo e fundit ka rregulla strikte të kalimit dhe skanimit të pakove postare? Të gjitha dërgesat postare që mbërrijnë në territorin e Shqipërisë si dhe ato që nisen nga territori jonë me destinacione vendet e huaja, protokollisht kalojnë në një përpunim paraprak dhe procedurë kontrolli, si në ambientet e Postës Shqiptare ashtu edhe në ambientet e cargos në Rinas. Në të dy rastet, ato i nënshtrohen një kontrolli me pajisje skanuese të fjalës së fundit. Ky proces kontrolli i objekteve postare kryhet në tre nivele. Në fillim, bëhet skanimi i të gjithë ngarkesave nga skaneri i Postës Shqiptare, në nivelin e dytë bëhet skanimi i objeketeve të veçanta dhe në nivelin e tretë, bëhet skanim edhe i objekteve më të vogla postare, nga një skaner më i specializuar.
Gjatë procesit të skanimit, ka pasur raste kur janë evidentuar mallra të ndaluara. Objektet bllokohen dhe më pas i kalojnë sektorëve të ndryshëm të policisë, sipas llojit të mallit të ndaluar dhe procesverbali i dërgohet prokurorisë, e cila është më tej përgjegjëse për vijimësinë e hetimeve.
Për rastin e datës 30 qershor me dy të arrestuar, 64-vjeçarja Fuxha ishte një ish-punonjëse poste. Me ndikimin e saj, ajo mundi të tërheq sasinë e kokainës që vinte nga Anglia. Prokuroria dhe policia kanë dyshime edhe për persona të tjerë të përfshirë, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar të plotë ngjarjen. Burime nga policia thonë se nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së punonjësve të postës si bashkëpunëtorë, megjithatë akoma gjithçka është në fazë dyshimesh e hetimesh.