Shaip Kamberi ka mundur të fitojë mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë. Ai mësohet të jetë konfirmuar deputet në zgjedhjet e përsëritura në Tërnoc, ku arriti votat e nevojshme (698 nga 711 gjithsej) që të bëhet deputet në Parlamentin e Serbisë.
Banorët e fshatit Tërnovc i Madh të Bujanocit iu drejtuan dje kutive të votimit për herë të pestë. Në një status në rrjetet sociale, Kamberi thotë se arriti të zgjidhet me gjithë “me krejt politikën dhe veprimet penguese të (pu)shtetit” në Serbi.
Mesazhi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Me krejt politikën dhe veprimet penguese të (pu)shtetit, shqiptarët vendorë nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.
Kjo sot falë votuese të Tërnocit. Kjo në përgjithësi falë vullnetin të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo falë punës së palodhshme të aktivistëve dhe simpatizuesve, atyre të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës. Kjo falë përkrahjes së madhe nga kudo ku përqafohen vlerat e demokracisë liberale. Nga kudo ku flitet shqip.
Ju faleminderit të gjithëve nga zemra.
Përgjegjësitë janë të mëdha. Problemet janë të shumta. Konteksti është i vështirë.
Por me punë dhe unitet do t’ia dalim.
Zotohem se do të jem deputet i të gjithëve.
Zotohem se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve që duan të drejta dhe mirëqenie. Interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar.
Zotohem se do ta ndjek politikën e orientimeve pro-perëndimore, për paqe të qëndrueshme në rajon.
Vazhdojmë bashkë!
Për liri, për barazi, për demokraci.