As mbrëmja e prezantimit të fanellave të reja nuk e ka zbutur tensionin mes presidentit Lotito dhe drejtorit sportiv Igli Tare te Lazio. Të dy u panë duke u grindur ashpër gjatë kësaj ngjarjeje, pas një shpërthimi mes tyre, të regjistruar tashmë gjatë fundjavës së kaluar.
Pra, e ardhmja bardhekaltër duket e mjegullt. Mes fërkimeve të ndryshme të grumbulluara ndër vite, menaxheri (drejtori) sportiv nuk e treti ardhjen në klub të Angelo Fabianit, si koordinator i “Primavera” dhe futbollit të femrave të Lazios. Në fakt, kjo lëvizje shihet si kërcënim për postin e Igli Tares. Presidenti Lotito dhe Tare duan të ndahen, por askush nuk dëshiron ta hedhë hapin e parë (prej dëmshpërblimit), edhe pse drejtori sportiv po mendon seriozisht dorëheqjen e tij.
Mbrëmja e prezantimit të uniformave të reja të markës “Mizuno” ishte e veçantë, shumë fansa u bënë dëshmitarë të një debati të nxehtë, një tjetër i tillë, mes Lotitos dhe Tares. Arsyeja nuk dihet, por tensioni tashmë është i përhershëm. Sikurse duket në këtë foto, ka munguar vetëm kacafytja fizike, sepse tonet janë të denja për dy armiq, jo dy bashkëpunëtorë. Kësisoji, lamtumira është thuajse e pashmangshme. Igli Tare, sipas TMW, po mendon seriozisht dorëheqjen e tij.
Kjo jo vetëm për emërimin e Fabianit (projektuar për drejtor sportiv të ardhshëm), por edhe marrëdhënien minimale me Maurizio Sarri, i cili sezonin e kaluar do t’i kishte kërkuar Lotitos largimin e shqiptarit. Sarri ishte faktori tjetër i panjohur i mbrëmjes bardhekaltër. Trajneri dhe stafi i tij nuk ishin të pranishëm në event, me justifikimin se po përgatisnin detajet finale të nisjes për në grumbullim. Ama, dihet pakënaqësia e trajnerit për lëvizjet e para në merkato, proces të cilin e mbulon Igli Tare. Me pak fjalë, vera e Lazios është më përvëluese se sa është tashmë për të gjithë.